Mbetjet e pesticideve analizohen pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (IISUV) për të gjitha produktet me origjinë bimore (fruta, perime, drithra, çajra, vaj ulliri etj).

Në një njoftim për shtyp, ministria e Bujqësisë bën të ditur se metodikat e përdorura nga laboratori janë ato të standardizuara nga BE dhe që përdoren në të gjithë laboratorët e referencës të BE (European EN 15662-2009 Method QuEChERS Methodology).

Prej nëntorit të vitit 2013 pranë ISUV, janë kryer vazhdimisht analizat e mbetjeve të pesticideve sipas një ‘’Plani Kombëtar’’ të miratuar nga Ministria e Bujqësisë. Deri tani, rezultatet për praninë e mbetjeve të pesticideve në fruta dhe perime, kanë qenë negative, brenda normave (niveli maksimal i lejuar/ MRL).

Plani i monitorimit të produkteve me origjinë bimore përfshin 31 matrica të ndryshme me origjinë bimore, 4080 kampione të shpërndarë në 12 qarqe të Shqipërisë (340 kampione për çdo qark). Kampionët merren në treg dhe pika grumbullimi për produkte të prodhuara në vend dhe të importuara.

Janë analizuar produkte të ndryshme si luleshtrydhe, domate, kastraveca, dhe asnjë nga këto produkte nuk ka rezultuar me mbetje të pesticideve me vlerë, më të lartë se “niveli maksimal i lejuar”.

Rezultatet e laboratorit të ISUV janë konfirmuar periodikisht edhe nga Laboratorët e Referencës Europiane (Istituto Zooprofilattico Sperimentale dell’Abruzzo e del Molise (IZSAM), Teramo, Itali, i cili është qendër reference për analizimin e mbetjeve të pesticideve në produktet me origjinë bimore) dhe rezultatet kanë qenë të njëjta.

Edhe rezultatet e fundit të kampioneve të domateve, luleshtrydheve dhe kastravecave, të dërguara në Teramo në fillim të qershorit, rezultuan pa asnjë mbetje të pesticideve. U analizuan 360 analite të mbetjeve dhe rezultatet ishin të njëjta me analizat periodike të ISUV dhe tregojnë në mënyrë të qëndrueshme se, prodhimet vendase të frutave dhe perimeve, nuk kanë mbetje të pesticideve.