Sekretarja e Brendshme në Britaninë e Madhe, Theresa May ka fituar në mënyrë bindëse raundin e parë të garës së brendshme për t’u bërë udhëheqësja e radhës e konservatorëve. Rrjedhimisht edhe kryeministre e vendit.

Sipas mediave vendase, May siguroi 165 vota nga 329 të hedhura prej parlamentarëve të Partisë Konservatore, e ndjekur nga Andrea Leadsom me vetëm 66 vota.

Ndërsa personi që e përmendte shpeshherë Shqipërinë gjatë referimeve të tij gjatë fushatës së referendumit, Michael Gove mori 48 vota. I fundit në radhë mes kandidatëve ishte Liam Fox, me vetëm 16 vota, e rrjedhimisht është eliminuar nga kjo garë. Ndërkohë Stephen Crabb, edhe pse mori 34 vota, vendosi të tërhiqej nga ky konkurrim.

Bëhet e ditur se në raundet e ardhshme të votimeve do të reduktohet numri i pretendentëve në vetëm dy të tillë. Më pas ata do të përballen me njëri-tjetrin në votimin deçiziv të 9 shtatorit, prej nga ku do të mësohet se kush do të udhëheqë në të ardhmen konservatorët britanikë, pas largimit të kryeministrit David Kameron.

Ky i fundit dha dorëheqjen pas disfatës në referendumin pro qëndrimit apo pro shkëputjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian.