Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ashtu sikundër opozita, kërkon mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas vjedhjes në aeroportin e Rinasit. Në të njëjtën linjë politike me demokratët, sekretari i përgjithshëm Luan Rama, ka konsideruar ngjarjen si papërgjegjshmëri për sigurinë kombëtare. Në një deklaratë shpërndarë mediave, zyrtari i lartë i partisë kryesore aleate të PS-së, shprehet se banditët vodhën një ditë, pasi Ministria e Brendshme deklaroi masa shtesë të sigurisë në Rinas. Sipas tij, ngjarja është shumë e rendë dhe duhet të nxirren përgjegjësitë. Ai ka kërkuar nga kryeministri Rama të marrë masa për të gjithë institucionet përgjegjëse. Përmes kësaj deklarate, Luan Rama bën me dije se do të kërkojë një mbledhje të posaçme të komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, për të diskutuar mbi ngjarjen.