Me skuadrën që vazhdon përgatitjet në Austri, Skënderbeu qëndron pranë tifozëve, duke i dedikuar mbështetësve hapësirën “FansTime”, ku ata mund të pyesin përforcimet e klubit për sezonin e ardhshëm.

Në bashkëbisedimin virtual me tifozët, ishte radha e mesfushorit të qendrës, Argjend Malaj, që u transferua në Korçë pas aktivizimit te Tirana.

21-vjeçari nga Vushtrria tregoi arsyen përse u largua nga bardheblutë, për t’iu bashkuar 6 herë kampionëve radhazi, duke thënë se “dëshironte të bënte hapin e madh në karrierë dhe në Shqipëri, Skënderbeut mbetet zgjedhja më e mirë” për një transferim që mund ti shërbejë “si trampolinë për një kampionat më të fort”.

Argjend Malaj theksoi se “dëshiron të kthehet në një lojtar të rëndësishëm për klubin” dhe premtoi maksimumin për ta ndihmuar Skënderbeun që “të përsërisë suksesin e vitit të kaluar”.

Përveçse u shpreh i vlerësuar që i’u bashkua skuadrës, e cila po dominon futbollin shqiptar në vitet e fundit, Malaj ka besim te potenciali i korçarëve që pasi shkruajti historinë duke marrë pjesë në grupet e Europa League, tashmë “ka potencialin që ta përsërisë suksesin, madje do të kërkojë kualifikimin në fazën e grupeve të Champions League”.

Fjalët e Argjend Malajt tregojnë se përpos investimit të klubit në merkato, ambicia nuk mungon. Në pritje të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, i mbetet të besuarve të trajnerit Andrea Agostinelli të tregojnë forcën e vërtetë në fushë.